
Një nga vendimet më të debatueshme të këtij Botërori i dha Portugalisë kualifikimin në fazën e 1/8-ave dhe i dha fund ëndrrës së Luka Modriçit për të vijuar aventurën e tij në Kupën e Botës.
Portugalia mposhti Kroacinë 2-1 në Toronto, por ndeshja u vendos vetëm në minutën e 103-të, kur VAR anuloi golin e barazimit të Josko Gvardiolit.
Fillimisht dukej se Kroacia kishte siguruar shtesat, por arbitri Espen Eskas u thirr të rishikonte aksionin pas sinjalizimit të VAR-it. Teknologjia e integruar në top, e ngjashme me “Snickometer”-in e kriketit, evidentoi se Igor Matanoviç kishte prekur topin me kokë në ndërtimin e aksionit, duke e vendosur në pozicion jashtë loje. Goli u anulua dhe Portugalia festoi kualifikimin.
Vendimi shkaktoi zemërim te kroatët. Tifozët hodhën shishe plastike në fushë, ndërsa trajneri Zlatko Daliç kritikoi ashpër arbitrimin dhe përdorimin e VAR-it.
“VAR-i po vret emocionet, po na e merr gëzimin e futbollit. Kemi shkuar shumë larg”, deklaroi ai.
Në krahun tjetër, trajneri i Portugalisë, Roberto Martinez, mbrojti vendimin.
“Nuk ishte as fat dhe as gabim. Ishte një situatë e qartë. Topi ka mikroçip dhe sensori tregoi se kishte prekje”, u shpreh spanjolli.
Cristiano Ronaldo shënoi golin e tij të parë në fazën me eliminim direkt të një Botërori, ndërsa u zëvendësua në minutën e 81-të. Ai e ndoqi fundin dramatik nga stoli dhe festoi kualifikimin, duke mbajtur gjallë ëndrrën për trofeun e vetëm që i mungon.
Për Luka Modriçin, i cili mbushi 40 vjeç dhe zhvilloi ndeshjen e tij të 23-të në Kupën e Botës, ky pritet të ketë qenë kapitulli i fundit në skenën më të madhe të futbollit botëror.






