
Protesta e 32-të para Kryeministrisë u mbyll me paralajmërimin për një tjetër tubim para Kuvendit, gjatë seancës plenare të së enjtes.
Organizatorët njoftuan se protestuesit do të mblidhen në orën 10:00 para Parlamentit, me synimin për të penguar hyrjen e deputetëve në seancë.
Gjatë tubimit u përsëritën pesë kërkesat e protestuesve, mes tyre dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i klasës politike. Protestuesit deklaruan se nuk pranojnë dialog apo tërheqje nga protesta, ndërsa kërkuan edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Në fjalimet e mbajtura u kritikua edhe ndërhyrja e Policisë gjatë protestës së një dite më parë, me organizatorët që pretenduan se efektivët kishin tejkaluar kompetencat e tyre.
Tubimi përfundoi me marshimin tradicional në rrugët e Tiranës dhe me thirrjen për pjesëmarrje në protestën e paralajmëruar për 4 korrik.






