Brighton ka arritur marrëveshjen me Tottenham për transferimin e mbrojtësit kroat Luka Vuskovic, në një operacion me vlerë fillestare prej 46 milionë paundësh, që mund të shkojë deri në 50 milionë paund me bonuset. Bëhet fjalë për blerjen më të shtrenjtë në historinë e klubit.

19-vjeçari do t’i nënshtrohet vizitave mjekësore sapo të përfundojë angazhimin me Kroacinë në Kupën e Botës 2026, ku kombëtarja e tij do të përballet me Portugalinë në fazën e 1/16-ave.

I formuar te Hajduk Split, Vuskovic u transferua te Tottenham në vitin 2025, pas marrëveshjes së arritur në vitin 2023. Megjithatë, ai nuk debutoi kurrë me londinezët, pasi sezonin e kaluar luajti në formë huazimi te Hamburgu, ku zhvilloi 30 ndeshje në Bundesliga dhe shënoi gjashtë gola.

Qendërmbrojtësi kroat konsiderohet një nga talentet më premtues të futbollit europian dhe te Brighton do të zëvendësojë Jan Paul van Hecke.

Ironikisht, holandezi po ndjek rrugën e kundërt, pasi Tottenham ka rënë dakord të paguajë 52 milionë paund për kartonin e tij, duke e bërë këtë një shkëmbim të rëndësishëm mes dy klubeve në këtë merkato.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu