
Al Ahli ka vendosur Mohamed Salah si objektivin kryesor të merkatos së verës, ndërsa klubi saudit synon të zëvendësojë Riyad Mahrez me një tjetër yll të futbollit botëror.
Sipas raportimeve, drejtuesit e klubit nga Xheda kanë nisur kontaktet paraprake për të mësuar kushtet financiare dhe sportive që do të nevojiteshin për transferimin e sulmuesit egjiptian të Liverpoolit.
Lëvizja vjen pas largimit të Mahrez, i cili ndërpreu me marrëveshje kontratën me Al Ahli. Klubi raportohet se ka paguar rreth 14.5 milionë euro për mbylljen para kohe të kontratës së algjerianit, duke e lënë atë lojtar të lirë.
Edhe pse Al Ahli po monitoron edhe sulmuesin e Borussia Dortmund, Karim Adeyemi, Mohamed Salah mbetet prioriteti absolut. Drejtuesit e klubit e konsiderojnë 34-vjeçarin jo vetëm si një përforcim sportiv, por edhe si një figurë me ndikim të madh komercial dhe marketingu.
Aktualisht negociatat janë në fazën fillestare dhe nuk ka ende një marrëveshje mes palëve. Ndërkohë Salah është i përqendruar te Kombëtarja e Egjiptit, ku është rikthyer në stërvitje pas një shqetësimi të lehtë fizik dhe pritet të jetë i gatshëm për sfidën e fazës së 1/16-ve të Botërorit.






