
Kryeministri Edi Rama reagoi pas protestës së zhvilluar këtë të martë në Tiranë, duke bërë sërish dallimin mes asaj që ai i quan “flamingot” dhe “sorrat me korbat”.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkroi se qytetarët që kërkojnë një Shqipëri më të mirë janë të ndryshëm nga ata që, sipas tij, nxisin dhunë dhe përshkallëzim.
“Flamingot dhe sorrat me korbat i ndan pikërisht kjo: të parët duan që Shqipëria të jetë më e mirë, më e drejtë, më e pastër, ndërsa të dytët e duan Shqipërinë shesh për horrllëk, dhunë, pisllëk. Flamingot do ta kenë atë që kërkojnë, kurse dështakëzemërakët e kores së zezë të kësaj proteste do marrin atë që meritojnë sorrat dhe korbat”, shkroi Rama.
Postimi u shoqërua me një video ku shfaqet moderatori dhe aktivisti Shpend Gashi. Në video ai u drejtohet mbështetësve të përshkallëzimit të protestës me fjalët: “Ju që na thoni në rrugë duam dhunë, duam përshkallëzim, ku jeni sot kur jemi gërricur me policinë ne?”.






