
Koalicioni shqiptar VLEN do të drejtojë tre ministri të reja në kuadër të rikonfigurimit të qeverisë në Maqedoninë e Veriut. Bëhet fjalë për Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.
Lajmi u konfirmua nga sekretari i përgjithshëm i VLEN-it, Bekim Sali, i cili sqaroi se në këmbim koalicioni do të heqë dorë nga drejtimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Politikës Sociale.
Sipas Salit, VLEN do të vazhdojë të jetë pjesë e shumicës qeverisëse, duke mbajtur gjithashtu përgjegjësinë për Ministrinë e Mjedisit, Ministrinë e Ekonomisë, çështjet e eurointegrimit, Kulturën, Drejtësinë dhe Marrëdhëniet Ndërmjet Bashkësive.
Ai bëri të ditur se emrat e rinj për drejtimin e Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Drejtësisë ende nuk janë vendosur, por theksoi se ministrat aktualë kanë pasur një performancë të mirë dhe do të vijojnë të jenë pjesë e qeverisë në poste të tjera.
Ndërkohë, partneri tjetër i koalicionit qeverisës, ZNAM, nuk ka konfirmuar ende nëse do ta pranojë shkëmbimin e resorëve. Kryetari i partisë, Maksim Dimitrievski, deklaroi se marrëveshja nuk është përfundimtare dhe se vendimi pritet të merret pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, e planifikuar për të martën.






