Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për debatin rreth Banjave Termale të Bënjës, duke publikuar një video nga zona ku shihen turistë dhe aktivitete festive nën ritmet e muzikës popullore.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama ironizoi kritikët që, sipas tij, përhapën dezinformim dhe montazhe për gjendjen e llixhave, duke i cilësuar si “flamingot me qeleshe të bulevardit”.

“Nga Banjat ‘e shkretuara’ Termale të Bënjës, Përmet, ku me shumë dizinformim e montazhe provokuese të shpërndara nëpër kanalet sociale 48 orë rresht nga flamingot me qeleshe të bulevardit dhe me fryrjen e pandalur të algoritmit të urrejtjes, u tentua të krijohej një vatër e re nxitjeje… Por kësaj radhe fitoi e vërteta”, shkroi Rama.

Ky është reagimi i tretë i kryeministrit lidhur me polemikat për Banjat e Bënjës, pas publikimit të pamjeve dhe ankesave të disa vizitorëve se vaskat termale ishin bosh gjatë sezonit turistik.

Nga ana tjetër, përfaqësues të Partisë Socialiste kanë sqaruar se investimi për rikualifikimin e kompleksit nuk ka përfunduar ende dhe se ndërhyrjet synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve për vizitorët.

Banjat Termale të Bënjës, rreth 13 kilometra larg qytetit të Përmetit, janë një nga destinacionet më të frekuentuara turistike në jug të vendit. Projekti i rikualifikimit përfshin ndërtimin e rrugëve të reja të aksesit, hapësirave rekreative dhe ambienteve të reja të shërbimit, me synimin për ta kthyer zonën në një qendër të rëndësishme të turizmit natyror dhe kulturor.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu