
Shqipëria do të përfshihet nga një valë e fortë të nxehti gjatë ditës së diel, me temperaturat që pritet të arrijnë deri në 39 gradë Celsius në disa zona të vendit.
Sipas parashikimit të motit, vendi do të dominohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme, me mot kryesisht të kthjellët në të gjithë territorin gjatë paradites.
Në orët e mesditës dhe pasdites pritet të shfaqen vranësira të pakta deri mesatare, kryesisht në zonat kodrinore dhe malore, ndërsa në majat e maleve në juglindje nuk përjashtohen reshje të izoluara shiu në formë pikash.
Temperaturat minimale do të zbresin deri në 20 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të arrijnë në 39 gradë.
Qytetet që pritet të regjistrojnë temperaturat më të larta janë Shkodra dhe Elbasani, ku kulmi i vapës do të ndihet gjatë orëve të mesditës.
Era do të fryjë me drejtim verilindje–veriperëndim, me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në lugina herë pas here do të arrijë deri në 14 m/s.
Autoritetet këshillojnë qytetarët të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të tregojnë kujdes të veçantë për fëmijët, të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore.






