
Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se Lezha ka shënuar një rritje prej 15% të numrit të turistëve krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke e cilësuar këtë si një tjetër tregues të zhvillimit të turizmit shqiptar.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama ndau statistikat e publikuara nga kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, duke theksuar se rritja e vizitorëve nuk është thjesht një shifër, por dëshmi e transformimit të zonës.
“Këto nuk janë thjesht shifra. Është Lezha që nuk ndalet dhe Shqipëria që nuk ndalet”, u shpreh kryeministri.
Rama theksoi se hapi i radhës për zhvillimin e turizmit është orientimi drejt resorteve me pesë yje, të cilin e cilësoi si një domosdoshmëri jo vetëm ekonomike, por edhe gjeostrategjike.
Sipas të dhënave të publikuara nga Bashkia e Lezhës, këtë sezon vihet re një rritje e ndjeshme e turistëve të huaj, të cilët përbëjnë rreth 20% të totalit të vizitorëve në bregdetin e Shëngjinit.
Vizitorët vijnë kryesisht nga Gjermania, Polonia, Italia, Çekia, Austria, Zvicra, Rumania, Ukraina, Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Suedia.
Turistët gjermanë përbëjnë grupin më të madh të vizitorëve të huaj, me rreth 20% të totalit, të ndjekur nga polakët me 15%, italianët dhe çekët me nga 10% secili.
Sipas autoriteteve vendore, këto shifra konfirmojnë rritjen e interesit të turistëve europianë për Lezhën dhe Shëngjinin, të cilat po konsolidohen gjithnjë e më shumë si destinacione të rëndësishme të turizmit në Shqipëri.






