Pasi Ministria e Brendshme e Shqipërisë shpalli “person të padëshiruar” për 15 vite shtetasen Ikballe Berisha-Huduti, media kosovare Nacionale ka publikuar deklarata të mëparshme të vajzës së saj, Zehra Huduti, të regjistruara gjatë studimeve në Iran.

Sipas medias, në një intervistë të dhënë rreth një dekadë më parë për televizionin iranian “Nasr TV”, Zehra Huduti prezantohet si studente nga Kosova dhe pjesëmarrëse në një konferencë për “rizgjimin islam”.

Në deklaratat e transmetuara, ajo shprehet se konferenca do ta ndihmonte të kontribuonte në vendin e saj dhe deklaron se “myslimanët janë të bashkuar”, duke shtuar se “me këtë konferencë ne mund ta luftojmë Izraelin dhe Amerikën”.

Publikimi vjen pasi ministri i Brendshëm i Shqipërisë firmosi urdhrin për shpalljen e Ikballe Berisha-Huduti si “person i padëshiruar në Republikën e Shqipërisë” për një periudhë 15-vjeçare. Vendimi u mor pas raportimeve dhe verifikimeve të institucioneve shqiptare.

Në një tjetër artikull, Nacionale raporton se mbështetje për protestën në Tiranë ka shprehur edhe Nefail Maliqi, të cilin media e identifikon si militant të Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas saj, Maliqi ka publikuar postime në rrjetet sociale në mbështetje të protestës dhe më herët ishte bërë objekt polemikash për deklarata fyese ndaj dëshmorëve të UÇK-së, për të cilat më pas kishte kërkuar falje, duke pretenduar se profili i tij në Facebook ishte hakuar.

Artikujt e publikuar nga Nacionale përmbajnë pretendime dhe qëndrime të atribuara personave të përmendur, të cilat nuk janë komentuar publikisht prej tyre në kohën e publikimit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu