
Vala e fortë e të nxehtit që ka përfshirë Francën po prek jo vetëm njerëzit, por edhe kafshët shtëpiake. Në Paris, veterineri Rodolphe Lesauvage po kryen çdo ditë vizita emergjente në banesat e qytetarëve për të trajtuar qen e mace që po vuajnë nga temperaturat ekstreme.
Sipas veterinerit, rastet më të shpeshta lidhen me dehidrimin, temperaturën e lartë trupore dhe vështirësitë në frymëmarrje. Në një nga vizitat, ai trajtoi një mace të quajtur Cleo, e cila kishte nisur të merrte frymë me vështirësi për shkak të vapës.
Lesauvage u bëri thirrje pronarëve të krijojnë ambiente sa më të freskëta për kafshët, duke mbyllur grilat ose perdet në dhomat e ekspozuara ndaj diellit, si dhe duke i mbajtur kafshët në zona të freskëta të shtëpisë.
“Nëse nuk do të kishim ndërhyrë dhe nuk do t’i kishim shpjeguar pronares masat parandaluese, temperatura e maces do të vazhdonte të rritej dhe mund të shfaqeshin komplikacione serioze. Ushqimi i lagësht ndihmon në rritjen e marrjes së lëngjeve dhe ulja e temperaturës në banesë është thelbësore”, shpjegoi ai.
Në një tjetër rast, veterineri vizitoi një qen të quajtur Goldy, i cili paraqiste temperaturë të lartë, anemi të rëndë dhe dhimbje abdominale. Analizat ngritën dyshime për hemorragji të brendshme ose dëmtime të shumëfishta të organeve si pasojë e goditjes nga nxehtësia. Qeni u dërgua menjëherë në spital veterinar, ndërsa veterineri paralajmëroi se gjendja e tij ishte kritike.
Një rast më pozitiv ishte ai i maces Chi, e cila u shpëtua falë reagimit të shpejtë të pronares. Dy vite më parë, e njëjta mace kishte kaluar një goditje të rëndë nga nxehtësia dhe kishte qëndruar e shtruar për dy ditë. Këtë herë, pronarja e mbajti në një ambient me ajër të kondicionuar dhe kërkoi menjëherë ndihmë veterinare, duke shmangur komplikacionet.
Veterinerët u bëjnë thirrje pronarëve të mos i lënë kafshët në ambiente të nxehta apo në automjete të mbyllura, të sigurojnë ujë të freskët gjatë gjithë kohës dhe të kufizojnë shëtitjet në orët me temperatura të larta.






