Screenshot

Kryeministri Edi Rama ka publikuar mesazhe që, sipas tij, tregojnë se ish-zv.ministri socialist i Arsimit, Olti Rrumbullaku, ka kërcënuar online pronarët e një bujtine në Tropojë, vetëm pse nuk ndajnë të njëjtin qëndrim me protestuesit që prej 25 ditësh tubohen para Kryeministrisë.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama thotë se dy vëllezërit, pronarë të bujtinës “Chestnut Hill”, janë vënë në shënjestër pasi nuk u bashkuan me protestën. Sipas tij, Rrumbullaku i ka paralajmëruar se do t’u linte vlerësim negativ në platformën Booking dhe u ka kërkuar të mos “merren me politikë në kohë krize”.

Kreu i qeverisë e cilësoi ish-zv.ministrin si një funksionar të larguar nga detyra për mungesë rezultatesh, duke pretenduar se gjatë kohës që ishte në qeveri “mbyllej në zyrë dhe flinte gjumin e drekës”.

“Djemtë e Chestnut Hill janë dy vëllezër flori, që me shumë mund kanë ngritur një biznes familjar në Tropojë. ‘Akademiku’ që i kërcënon se do t’u vendosë një yll në vlerësimin online, vetëm pse nuk u bashkuan me të dhe me dështakët e tjerë, kur ishte zëvendësministër u dallua vetëm se bënte gjumin e drekës në zyrë”, shkruan Rama.

Kryeministri shton se u ka premtuar pronarëve të bujtinës se do t’i vizitojë në Tropojë dhe e mbyll reagimin me një mesazh ironik ndaj ish-zv.ministrit.

Publikimi i këtyre mesazheve vjen në vazhdën e reagimeve të Ramës për protestën para Kryeministrisë, ku ai ka pretenduar vazhdimisht se qytetarë që shprehin mendime ndryshe nga organizatorët janë bërë objekt sulmesh dhe kërcënimesh në rrjetet sociale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu