
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbërritur në Pallatin Elysee në Paris, ku po zhvillon një vizitë zyrtare me ftesë të Presidentit francez Emmanuel Macron.
Takimi mes dy liderëve zhvillohet në kuadër të dialogut politik të nivelit të lartë ndërmjet Shqipërisë dhe Francës, me fokus forcimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve dhe avancimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
Sipas njoftimit zyrtar, në tryezën e bisedimeve do të jenë edhe zhvillimet që lidhen me qasjen e re të Bashkimit Europian ndaj zgjerimit, një proces për të cilin Rama ka qenë një nga mbështetësit më aktivë në rajon.
Një tjetër temë e rëndësishme e diskutimit pritet të jetë edhe samiti i ardhshëm i NATO-s në Ankara, si dhe sfidat e sigurisë në rajon dhe më gjerë.
Takimi në Paris vjen në vijim të kontakteve të shpeshta mes Ramës dhe Macron. Dy liderët janë takuar zyrtarisht në Paris në prill 2024, ndërsa Presidenti francez ka vizituar Tiranën në tetor 2023 dhe maj 2025.
Qeveria shqiptare vlerëson Francën si një nga mbështetëset kryesore të perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor, ndërsa vizita e sotme pritet të riafirmojë angazhimin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit strategjik dhe afrimin e mëtejshëm të Shqipërisë me Bashkimin Europian.






