
Partia Demokratike ka reaguar pas incidentit të ndodhur gjatë protestës në Tiranë, ku u gris flamuri i Izraelit i vendosur pranë Ambasadës izraelite.
Në një deklaratë zyrtare, PD e dënoi ashpër ngjarjen, duke e cilësuar atë si një akt kriminal me karakter antisemit dhe në kundërshtim me traditën e marrëdhënieve mes dy popujve.
“Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe grisjen e flamurit të Izraelit të ngritur në ambasadën e këtij vendi si një akt kriminal ekstremist, antisemit që bie ndesh me ndjenjat dhe lidhjet tradicionale që bashkojnë dy kombet dhe dy vendet tona”, thuhet në deklaratë.
Selia blu kërkoi nga autoritetet identifikimin dhe ndëshkimin ligjor të autorit të këtij veprimi.
Sipas Partisë Demokratike, incidente të tilla dëmtojnë imazhin e Shqipërisë dhe nuk përfaqësojnë vlerat e shoqërisë shqiptare apo marrëdhëniet historike të miqësisë me Izraelin.
Deklarata vjen pas reagimeve të shumta politike dhe diplomatike lidhur me incidentin, i cili u dënua më herët edhe nga Ambasada e Izraelit në Tiranë.






