
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka paralajmëruar një valë ndryshimesh në qeveri dhe administratë, duke bërë të ditur se rikonstruimi i kabinetit qeveritar do të formalizohet deri në fund të muajit qershor.
Mickoski deklaroi se më së voni deri më 1 korrik lista me ndryshimet e propozuara do t’i paraqitet Kuvendit për miratim. Ai tha se takimi i zhvilluar me partnerët e koalicionit VLEN ka qenë konstruktiv, ndërsa negociatat për emrat dhe ndarjen e përgjegjësive vijojnë.
“Po shqyrtohen të gjitha opsionet. Ka mundësi për ndryshime të resorëve dhe besoj se shumë shpejt do ta mbyllim këtë pjesë të parë të procesit”, u shpreh Mickoski.
Kreu i qeverisë njoftoi gjithashtu se do të zhvillojë konsultime edhe me partnerin tjetër të koalicionit, ZNAM, për të analizuar rezultatet e deritanishme të qeverisjes dhe fushat ku nevojiten përmirësime.
Sipas Mickoskit, rikonstruimi nuk do të kufizohet vetëm te ministrat. Ai paralajmëroi se gjatë verës ndryshimet do të shtrihen edhe në ndërmarrjet publike, institucionet shtetërore dhe strukturat në nivel lokal.
“Kemi vende ku mund të bëjmë më mirë dhe vende ku jemi jashtëzakonisht të kënaqur. Procesi do të vazhdojë gjatë verës edhe në fazën e dytë”, deklaroi ai.
Paralelisht me procesin qeveritar, VMRO-DPMNE do të nisë nga gjysma e dytë e korrikut një fushatë për përditësimin e anëtarësisë dhe regjistrimin e anëtarëve të rinj, e cila do të zgjasë deri në fund të shtatorit.
Mickoski theksoi se deri në fund të verës qytetarët do të shohin ndryshime të thella dhe thelbësore në funksionimin e institucioneve shtetërore.






