
Një turiste italiane ka humbur jetën pas zjarrit të madh që përfshiu një resort turistik në zonën e Bayahibe, në Republikën Domenikane, duke detyruar evakuimin e rreth 1.700 personave.
Viktima është identifikuar si Francesca Valentino, 45 vjeç, e cila sipas autoriteteve u godit nga një krizë e rëndë respiratore teksa ndodhej në plazh pas evakuimit të hotelit. Ajo humbi ndjenjat pasi thithi monoksid karboni dhe tym të dendur që vinte nga zona e përfshirë nga flakët. Gruaja u transportua me urgjencë në spital, por nuk arriti të mbijetojë.
Dëshmitarët kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e menaxhimit të emergjencës. Një turist italian deklaroi se alarmi nuk u aktivizua dhe se pushuesit u detyruan të paralajmëronin njëri-tjetrin duke trokitur në dyert e bungalow-ve.
“Askush nuk e kuptonte ku duhej të shkonte për t’u shpëtuar flakëve. Nuk kishte një plan të qartë evakuimi”, tha ai për mediat italiane.
Sipas dëshmive, zjarri dyshohet se nisi në zonën e mensës së resortit dhe më pas u përhap me shpejtësi për shkak të erës së fortë dhe çative prej kashte të strukturave turistike.
Autoritetet domenikane raportojnë se rreth 1.690 persona janë evakuuar dhe sistemuar në hotele të tjera. Të paktën 10 persona kanë marrë ndihmë mjekësore për probleme respiratore, djegie të lehta dhe shqetësime të lidhura me ekspozimin ndaj tymit.
Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta dhe po hetohen nga autoritetet lokale. Deri tani nuk raportohen viktima të tjera.






