
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë akuza të reja ndaj qeverisë dhe SPAK, duke pretenduar se disa zyrtarë të lartë socialistë kanë zhvilluar takime në Aruba në lidhje me projekte të pasurive të paluajtshme në Shqipëri.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se në dokumente përmenden takime të zhvilluara gjatë muajve janar-shkurt 2019 dhe këmbënguli se nuk bëhet fjalë për një takim të vetëm.
“Ta dini, në Aruba është bërë më shumë se një takim”, deklaroi ai.
I pyetur për emrat e zyrtarëve që sipas tij kanë qenë të përfshirë, Berisha përmendi ministrin Damian Gjiknuri, Olsi Ramën dhe sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi.
“Damiani, Olsi dhe Engjëll Agaçi”, u shpreh Berisha, ndërsa pretendoi se këto takime lidhen me projekte në Shqipëri të mbështetura politikisht.
Kreu demokrat akuzoi SPAK se po fsheh emrat e zyrtarëve të përfshirë, ndërsa publikoi, sipas tij, të dhëna që lidhen me familje të fëmijëve me autizëm në dosjen e ngritur ndaj tij.
Në vijim të deklaratës, Berisha hodhi akuza edhe për ndikime të shërbimeve sekrete serbe në zhvillimet e fundit politike dhe protestat në vend. Ai tha se informacionet i ka marrë nga ajo që e quan “qytetari dixhital”, duke pretenduar se ka bashkëpunim mes strukturave të Tiranës dhe Beogradit kundër protestuesve.
Berisha nuk paraqiti prova publike për këto pretendime, ndërsa deklaroi se Partia Demokratike nuk do të marrë pjesë në votimin e amnistisë penale, duke theksuar se fokusi i opozitës mbetet tek kërkesat e protestuesve.






