
Eurodeputeti austriak Andreas Schieder ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke deklaruar se vendi është një nga kandidatët më të avancuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe mund të shndërrohet në historinë e ardhshme të suksesit të zgjerimit.
Gjatë debatit në Parlamentin Evropian për Ballkanin Perëndimor, Schieder theksoi se Shqipëria ka dëshmuar angazhim të fortë ndaj reformave dhe vlerave evropiane, ndërsa përmendi si arritje të rëndësishme hapjen e të gjitha grupkapitujve negociues brenda 13 muajve.
“Shqipëria tashmë ka një këmbë në kampin evropian. Mbi 90% e qytetarëve mbështesin integrimin dhe objektivi për përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2026 është realist”, u shpreh ai.
Eurodeputeti vlerësoi gjithashtu përparimin në luftën kundër korrupsionit, forcimin e shtetit të së drejtës dhe miratimin e legjislacionit për mbrojtjen e sinjalizuesve, duke theksuar se procesi i anëtarësimit duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët.
Duke u ndalur te zhvillimi ekonomik, Schieder nënvizoi rëndësinë e turizmit të qëndrueshëm, duke e cilësuar atë si rrugën e duhur për krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike pa dëmtuar mjedisin.
“Shqipëria dhe qytetarët e saj po punojnë së bashku për të arritur këto objektiva. Kjo është arsyeja pse jam i bindur se Shqipëria mund të jetë historia e ardhshme e suksesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian”, deklaroi ai.






