
Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë ambientet e ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan, duke shkaktuar alarm tek banorët dhe ndotje të konsiderueshme të ajrit për shkak të tymit të dendur që ka mbuluar zonën.
Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë shpërthyer në magazinën e fabrikës “Optimal”, një kompani që merret me prodhimin e letrave të lagura dhe produkteve higjienike. Zjarri është përhapur me shpejtësi, ndërsa shtëllunga të mëdha tymi janë bërë të dukshme edhe nga distanca të largëta.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse të Elbasanit dhe efektivët e Policisë së Shtetit, të cilët kanë rrethuar perimetrin dhe po punojnë për izolimin e flakëve, me qëllim shmangien e përhapjes së zjarrit në objektet përreth.
Deri më tani nuk raportohen persona të lënduar, ndërsa shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta. Autoritetet pritet të kryejnë vlerësimin e dëmeve materiale pasi situata të vihet plotësisht nën kontroll.
Për shkak të tymit të dendur dhe rrezikut nga ndotja e ajrit, qytetarëve u është rekomanduar të shmangin lëvizjet e panevojshme pranë zonës deri në normalizimin e situatës.






