
Marjana Koçeku, e njohur publikisht si “Neomalsorja”, ka njoftuar largimin nga Partia Socialiste dhe kalimin e saj në statusin e deputetes së pavarur.
Lajmin e bëri të ditur vetë përmes një postimi në rrjetet sociale, ku theksoi se vendimi lidhet me bindjet dhe parimet e saj personale.
“Prej sot jam deputete e pavarun. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me nji parti. Ato m’i diftojnë kufijtë”, shkroi Koçeku.
Koçeku u fut në politikë si një nga figurat e reja të promovuara nga kryeministri Edi Rama në zgjedhjet parlamentare, duke u përfshirë në listën e Partisë Socialiste për qarkun e Shkodrës.
Vendimi i saj për t’u shkëputur nga grupi parlamentar socialist vjen në një moment debatesh të forta politike dhe protestash të vazhdueshme kundër qeverisë.
Deri tani, deputetja nuk ka dhënë detaje të mëtejshme mbi arsyet konkrete të largimit apo nëse do të mbështesë ndonjë forcë tjetër politike në të ardhmen.
Largimi i Koçekut përbën një zhvillim të rëndësishëm politik, pasi është rasti i parë i një deputeteje të zgjedhur nën siglën e PS-së që shpall publikisht statusin e të pavarurës në këtë legjislaturë.






