Moisi Habilaj, një nga emrat më të njohur të dosjeve të trafikut ndërkombëtar të drogës, është arrestuar në Borsh pas tetë vitesh në kërkim. Operacioni i koduar “Metodat”, i zhvilluar nga Policia e Vlorës, çoi në lokalizimin dhe ndalimin e 48-vjeçarit, i cili kërkohej nga autoritetet italiane dhe shqiptare për akuza të lidhura me trafikun e narkotikëve dhe organizatën kriminale.

Sipas policisë, Habilaj u arrestua provizorisht me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku është dënuar nga Gjykata e Katanias me 12 vjet, 2 muaj e 13 ditë burg për pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

Ndaj tij u ekzekutua gjithashtu masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Shqipëri që në vitin 2018, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë edhe shtetasi E.A., 46 vjeç, banues në Sarandë, ndërsa shtetasi italian S.F., 70 vjeç, u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Policia bëri të ditur se materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa kanë nisur procedurat për ekstradimin e Habilajt drejt Italisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu