
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se nuk do t’i bashkohet protestës qytetare që po zhvillohet prej ditësh në Tiranë, pasi sipas tij prania e tij do të dëmtonte natyrën qytetare të lëvizjes.
“Prania ime aty dëmton fibrën më të fuqishme të protestës, fibrën qytetare”, është shprehur Berisha, duke argumentuar se pjesëmarrja e tij do t’i jepte protestës një ngjyrim politik që do të largonte vëmendjen nga kërkesat e qytetarëve.
Megjithatë, lideri demokrat theksoi se mbështet protestën dhe u bëri thirrje simpatizantëve të PD-së të marrin pjesë në të.
Berisha komentoi edhe sloganet e dëgjuara gjatë protestës, si “Berisha në burg”, duke pretenduar se ato nuk burojnë nga protestuesit, por janë të nxitura nga ajo që ai e quan “opozita e opozitës”.
Sipas tij, ky grupim politik vepron në favor të kryeministrit Edi Rama dhe synon të devijojë mesazhin e protestës.
Kreu i PD-së deklaroi gjithashtu se nuk ka ndërmend të organizojë protesta apo mitingje paralele, duke këmbëngulur se lëvizja duhet të mbetet qytetare dhe jo partiake.
Qëndrimi i Berishës vjen në një moment kur protesta po vijon të mbledhë qytetarë me bindje të ndryshme politike, ndërsa organizatorët kanë insistuar vazhdimisht se ajo nuk përfaqëson asnjë forcë politike.






