
Protesta qytetare kundër qeverisë vijoi mbrëmjen e së shtunës me një marshim të gjatë në rrugët e Tiranës, ku pjesëmarrësit përshkuan disa kilometra deri në mbërritjen në Sheshin Skënderbej.
Qytetarët u nisën nga zona e Kryeministrisë dhe marshuan përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për të vijuar më pas drejt Bashkisë së Tiranës, Parlamentit, Unazës së Vogël, Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Brrylit, Rrugës së Dibrës dhe Selvisë.
View this post on Instagram
Më herët, koka e marshimit kishte mbërritur në zonën e Selvisë, ndërsa turma ishte shtrirë përgjatë gjithë Rrugës së Dibrës, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve dhe duke e kthyer zonën në një nga pikat kryesore të protestës.
Gjatë marshimit janë dëgjuar thirrje kundër klasës politike, ndërsa protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe përgjegjësi politike për situatën në vend.
Pas kalimit nëpër akset kryesore të kryeqytetit, pjesëmarrësit u rikthyen në zemër të Tiranës, duke u grumbulluar në Sheshin Skënderbej, ku protesta vijoi me thirrje dhe mesazhe politike.






