
Kryeministri Edi Rama deklaroi se hetimet e SPAK ndaj biznesmenit Artur Shehu nuk ndikojnë në projektin e investimit në Zvërnec, duke theksuar se pronat janë në zotërim të investitorëve që i kanë blerë sipas procedurave ligjore.
I pyetur për masën e sigurisë të lëshuar ndaj Shehut, Rama tha se çështja e hetimit penal dhe statusi i pronësisë janë procese të ndara, ndërsa toka i përket atyre që e kanë blerë mbi bazën e titujve të ligjshëm të pronësisë të regjistruar në Kadastër.
Sipas kreut të qeverisë, hetimet ndaj personave që kanë shitur pronat vijojnë paralelisht nga SPAK, por kjo nuk cenon të drejtat e blerësve aktualë. Ai shtoi se fondet e transaksionit janë vendosur në llogari të ngrira deri në përfundimin e hetimeve.
Rama u shpreh se kjo situatë u jep mundësi personave që pretendojnë pronësinë e tokës të ndjekin rrugën ligjore. Nëse ata arrijnë të provojnë pretendimet e tyre në gjykatë, përfitues të shumave financiare do të jenë ata dhe jo personat që kanë kryer shitjen.
Ndërkohë, Artur Shehu ndodhet prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka përfituar azil politik. SPAK e dyshon atë për pastrim parash të ardhura nga aktiviteti i trafikut të drogës, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Masa e sigurisë ndaj tij nuk është ekzekutuar deri më tani.






