Meksika e nisi me fitore aventurën në Kupën e Botës 2026, duke mposhtur 2-0 Afrikën e Jugut në ndeshjen hapëse të turneut të zhvilluar në stadiumin legjendar Azteca përpara më shumë se 80 mijë tifozëve.

Vendasit kaluan në avantazh që në minutën e 9-të me Julian Quiñones, i cili përfitoi nga një gabim në mesfushë dhe mposhti portierin Ronwen Williams me një goditje të fortë.

Afrika e Jugut humbi kontrollin e ndeshjes në fillim të pjesës së dytë, kur Yaya Sithole u ndëshkua me karton të kuq pasi ndali një rast të pastër shënimi për meksikanët.

Me një lojtar më shumë në fushë, Meksika vulosi fitoren në minutën e 67-të. Raul Jimenez realizoi me kokë pas një krosimi të Roberto Alvarados, duke shënuar golin e tij të parë në një fazë finale Botërori.

Emocionet ishin të dukshme për sulmuesin 35-vjeçar, i cili shpërtheu në lot gjatë festimit. Jimenez rikthehet në skenën më të madhe të futbollit pas dëmtimit të rëndë në kafkë që rrezikoi karrierën e tij në vitin 2020.

Fundi i ndeshjes u shoqërua me tension. Themba Zwane u bë lojtari i dytë i Afrikës së Jugut që u përjashtua me karton të kuq, ndërsa në minutat shtesë arbitri brazilian Wilton Sampaio ndëshkoi edhe Cesar Montes të Meksikës.

Tre kartonë të kuq në një ndeshje hapëse Botërori përbëjnë një rekord të ri për këtë kompeticion.

Një tjetër moment historik ishte debutimi i 17-vjeçarit Gilberto Mora, i cili u bë lojtari i dytë më i ri që aktivizohet në një Kupë Bote, pas legjendës braziliane Pele.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu