
Mijëra tifozë mbushën stadiumin legjendar Azteca në Mexico City, ku u zhvillua ceremonia hapëse e Kupës së Botës 2026. Turneu më i madh i futbollit në botë nisi me një spektakël të mbushur me muzikë, ngjyra dhe tradita lokale, ndërsa në qendër të vëmendjes ishte superylli kolumbian Shakira.
Pas muajsh përgatitjesh, debatesh dhe protestash që shoqëruan organizimin e turneut, fokusi u zhvendos plotësisht te futbolli. Tifozë nga e gjithë bota mbërritën në kryeqytetin meksikan për të ndjekur ndeshjen hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut.
Në ceremoninë para ndeshjes performuan Shakira, J Balvin, Burna Boy, Danny Ocean dhe Fher Olvera, ndërsa himnin kombëtar të Meksikës e interpretoi Alejandro Fernández, djali i legjendës së muzikës meksikane Vicente Fernández. Himnin e Afrikës së Jugut e këndoi artistja fituese e çmimeve Grammy, Tyla.
Performuesit sollën në skenë elementë të kulturës indigjene me kostume tradicionale, ndërsa të tjerë u shfaqën të veshur me ngjyra të arta duke mbajtur topa gjigantë futbolli. Atmosfera në stadium u shoqërua me fishekzjarre dhe koreografi spektakolare.
Meksika është një nga tre vendet organizatore të Botërorit 2026, së bashku me SHBA-në dhe Kanadanë. Dy vendet e tjera do të zhvillojnë ceremonitë e tyre hapëse të premten.
Me përfundimin e spektaklit, mijëra tifozë hodhën sombrerot në ajër dhe festuan nisjen e turneut që rikthehet në Meksikë për herë të parë pas 40 vitesh.






