Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se SHBA dhe Irani janë pranë finalizimit të një marrëveshjeje që mund t’i japë fund përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme. Trump njoftoi se ka anuluar sulmet e planifikuara kundër Iranit për natën e së enjtes, duke pretenduar se palët kanë miratuar pikat kryesore të një marrëveshjeje që pritet të shpallet së shpejti.

Në një deklaratë për New York Post, Trump tha se “gjithçka është pothuajse gati”, ndërsa shtoi se koha dhe vendi i nënshkrimit do të bëhen publike në ditët në vijim.

Sipas gazetës amerikane, të mërkurën në mbrëmje Irani i paraqiti Katarit një draft përfundimtar të marrëveshjes, ndërsa ndërmjetësit vijuan kontaktet intensive mes Teheranit dhe Uashingtonit. Burime rajonale thanë se teksti është finalizuar dhe se procesi i zbatimit mund të nisë menjëherë sapo të jepet miratimi përfundimtar politik.

Një nga pikat kryesore të memorandumit të mirëkuptimit është rihapja e Ngushticës së Hormuzit, rruga strategjike detare për transportin global të naftës, si dhe rifillimi i negociatave për programin bërthamor iranian.

Megjithatë, vetëm pak orë pas deklaratave të Trump, autoritetet iraniane mohuan se kishin arritur një marrëveshje përfundimtare, ndërsa Izraeli reagoi me kujdes duke deklaruar se po pret qëndrimin zyrtar të Teheranit.

Në postimin e tij, Trump pretendoi se diskutimet janë miratuar në nivelin më të lartë të udhëheqjes iraniane dhe se marrëveshja është mbështetur edhe nga një sërë vendesh rajonale, përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Turqinë, Pakistanin, Bahreinin, Kuvajtin, Jordaninë dhe Egjiptin.

Presidenti amerikan theksoi se bllokada detare do të mbetet në fuqi deri në finalizimin e plotë të marrëveshjes, ndërsa vendi dhe data e nënshkrimit pritet të shpallen së shpejti.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu