
Një skemë e dyshuar vjedhjeje brenda UBA Bank ka çuar në arrestimin e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të një dege bankare, ndërsa Prokuroria e Tiranës ka lëshuar në total 12 masa sigurimi ndaj punonjësve të përfshirë në çështje.
Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, hetimet nisën pas denoncimit të një klienti, i cili kallëzoi se nga tre llogaritë e tij ishin tërhequr pa autorizim rreth 500 mijë lekë. Një kallëzim i dytë u bë nga vetë banka, pas konstatimit të tërheqjeve të paautorizuara në llogarinë e një klienteje tjetër.
Nga verifikimet rezultoi se janë kryer të paktën 30 tërheqje pa mandat, si dhe janë hapur e mbyllur pa autorizim depozita në euro dhe dollarë. Hetuesit dyshojnë se punonjësit kanë përdorur mandate të falsifikuara, kanë ndërhyrë në sistemin bankar dhe kanë kryer konvertime valutore të paautorizuara për të përvetësuar fondet e klientëve.
Për drejtorin dhe zëvendësdrejtorin e degës, të identifikuar me inicialet G.H. dhe A.K., gjykata ka caktuar masën “Arrest në burg”. Sipas Prokurorisë, ata kanë shpërdoruar detyrën dhe aksesin në sistemin bankar për të realizuar veprimet e kundërligjshme.
Gjashtë punonjës të tjerë janë lënë në “Arrest shtëpie”, ndërsa katër persona janë pezulluar nga detyra. Të gjithë akuzohen për veprat penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.
Sipas hetimeve, skema funksiononte në mënyrë të organizuar, ku arkëtarët dhe punonjësit e shërbimit ndaj klientit kryenin ndërhyrjet në llogari, ndërsa transaksionet verifikoheshin dhe autorizoheshin nga nivelet drejtuese të degës.
Prokuroria vijon hetimet për të përcaktuar dëmin e plotë financiar dhe përgjegjësitë individuale të secilit prej të dyshuarve.






