
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për çështjen McGonigal.
Gjatë një deklarate për mediat në selinë e PD-së, Berisha akuzoi Gjykatën Kushtetuese se ka vepruar sipas porosive të kryeministrit Edi Rama.
“Zbatoi porosinë e Edi Ramës”, u shpreh Berisha, duke komentuar vendimin e Kushtetueses.
Sipas kreut të opozitës, bllokimi i hetimit parlamentar për çështjen McGonigal pengon zbardhjen e një prej skandaleve më të mëdha ndërkombëtare që, sipas tij, lidhet me korrupsionin dhe përdorimin e ish-zyrtarit të FBI-së kundër opozitës shqiptare.
Berisha deklaroi se hetimi i plotë i kësaj çështjeje do të ishte në interes të qytetarëve shqiptarë dhe të partnerëve ndërkombëtarë të vendit.
Ai hodhi gjithashtu dyshime se në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese mund të kenë ndikuar faktorë të tjerë, duke paralajmëruar se Partia Demokratike do të vijojë të ndjekë çështjen.
“Do ta hetojmë këtë punë. Do ta çojmë në Strasburg”, deklaroi Berisha.
Një ditë më parë, Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë kërkesën për komision hetimor mbi çështjen McGonigal, ndërsa pranoi kërkesën e opozitës për ngritjen e komisionit hetimor lidhur me zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.






