Kryeministri Edi Rama deklaroi se projekti turistik në Zvërnec nuk do të ndalet, duke e konsideruar atë një investim strategjik për zhvillimin ekonomik të vendit. Në konferencën e përbashkët me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, Rama mbrojti projektin dhe hodhi poshtë pretendimet për shkelje mjedisore apo parregullsi në procedurat e deritanishme.

“Ka problem me projektin? Çudi e madhe se s’ka projekt. Ka vetëm një koncept që është miratuar dhe është shoqëruar me shumë kushte për projektin që pritet të vijë. Ka problem me impaktin mjedisor? Çudi se nuk kemi studim mjedisor akoma”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se leja e dhënë deri më tani nuk është leje ndërtimi, por një leje infrastrukture për kryerjen e studimeve mjedisore dhe vendosjen e pajisjeve të nevojshme për analizimin e biodiversitetit dhe lagunës.

Rama tha se investimi prej 4 miliardë eurosh do të sjellë rreth 10 mijë vende pune dhe do të ndikojë pozitivisht në ekonominë shqiptare, duke argumentuar se vendi duhet të kalojë nga turizmi masiv drejt turizmit elitar.

“1000 turistë që harxhojnë 100 euro në ditë sjellin 100 mijë euro, ndërsa 100 turistë që harxhojnë 2 mijë euro në ditë sjellin 200 mijë euro, me 10 herë më pak ngarkesë dhe dy herë më shumë të ardhura”, tha ai.

Kryeministri solli si shembuj projekte të njohura si Costa Navarino në Greqi dhe Porto Montenegro në Mal të Zi, duke argumentuar se Shqipëria duhet të synojë të konkurrojë me këto destinacione.

“Projekti jo vetëm që do të jetë në standardet europiane, por ambicia ime është që të jetë në një nivel edhe më të lartë se Costa Navarino”, deklaroi Rama.

Nga ana tjetër, presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, shmangu komentet direkte për projektin konkret në Zvërnec, por theksoi se Shqipëria duhet të respektojë plotësisht legjislacionin europian në fushën e mjedisit gjatë procesit të integrimit.

“Unë nuk mund të flas për një projekt të veçantë apo specifik. Komisioni Europian është në kontakt me autoritetet shqiptare dhe po dëgjon shoqërinë civile”, tha Costa.

Ai nënvizoi se anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk lidhet vetëm me miratimin e ligjeve, por edhe me zbatimin e tyre në praktikë.

“Nuk është puna vetëm për të përkthyer në shqip legjislacionin e Bashkimit Europian, por për ta zbatuar atë në Shqipëri. Kjo vlen për mjedisin, por edhe për të gjitha fushat dhe kapitujt e tjerë të negociatave”, deklaroi Costa.

Presidenti i Këshillit Europian shtoi se Komisioni Europian do të vijojë të ndjekë zhvillimet dhe do të shprehet nëse do të ketë arsye për komente të mëtejshme lidhur me çështjen.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu