
Një tërmet i fortë me magnitudë 6.1 është regjistruar pak pas mesnatës në brigjet e Kalabrisë, duke shkaktuar panik në disa rajone të Italisë së Jugut.
Sipas Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV), lëkundja u regjistrua në orën 00:12 në detin Tirren, pranë zonës së Amanteas në provincën e Kozencës. Tërmeti kishte një thellësi prej rreth 250 kilometrash.
Lëkundjet u ndjenë jo vetëm në Kalabri, por edhe në Kampania, Bazilikata, Pulia dhe Siçili. Raportime për ndjesinë e tërmetit pati edhe në Napoli dhe zonat përreth Vezuvit.
Menjëherë pas tërmetit, shumë qytetarë dolën në rrugë, ndërsa shërbimet e emergjencës dhe mbrojtjes civile morën dhjetëra telefonata nga banorët e shqetësuar.
Autoritetet italiane njoftuan se deri tani nuk janë raportuar viktima apo dëme materiale. Mbrojtja Civile ka kontaktuar bashkitë më pranë epiqendrës, përfshirë Amantean, Cetraron dhe Lamezia Terme, ndërsa monitorimi i situatës vijon.
Edhe kryetari i Bashkisë së Kozencës, Franz Caruso, deklaroi se situata paraqitet e qetë dhe se nuk ka raportime për pasoja nga lëkundjet.
Tërmeti konsiderohet i fortë për shkak të magnitudës, por thellësia e madhe e epiqendrës ka ndihmuar në kufizimin e dëmeve në sipërfaqe.



