Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestat kundër investimit në Zvërnec, duke sfiduar kundërshtarët e projektit që, sipas tij, kërkojnë anulimin e diçkaje që ende nuk ekziston në formën përfundimtare.

“Dakord jam, ma sillni projektin dhe e anullojmë. Po si i bëhet që ju s’keni çfarë sillni sepse nuk ka projekt?”, shprehet Rama.

Sipas kryeministrit, projekti arkitektonik është ende në proces hartimi dhe po punohet nga pesë studio të njohura ndërkombëtare: Kengo Kuma nga Japonia, Bjarke Ingels nga Danimarka, Jean Nouvel nga Franca, Emre Arolat nga Turqia dhe K-Studio nga Greqia.

Rama premtoi se projekti do të prezantohet publikisht sapo të përfundojë, duke theksuar se kjo është praktika e ndjekur për të gjitha projektet e mëdha të realizuara nga arkitektë ndërkombëtarë.

Kryeministri hodhi poshtë edhe pretendimet se investimi lidhet me Izraelin apo me vendosjen e palestinezëve në zonë, duke i cilësuar këto pretendime si manipulime dhe dezinformim.

Ai deklaroi se investitorët kryesorë janë partnerë amerikanë dhe investitorë nga Katari, të lidhur me konglomeratin Power Holding, të cilin e përshkroi si një nga grupet më të mëdha ekonomike në rajon.

Rama argumentoi se investimi prej 4 miliardë eurosh përfaqëson një mundësi historike për zhvillimin e turizmit shqiptar dhe akuzoi kundërshtarët e projektit se po përpiqen të pengojnë investimet strategjike në vend.

Sipas tij, qëllimi është që Shqipëria të ngjitet në nivelin më të lartë të destinacioneve turistike në Mesdhe dhe të konkurrojë me tregjet elitare të turizmit ndërkombëtar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu