
Një 32-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër nga automjeti i tij në zonën e “Ali Demit”.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 ndërhynë menjëherë pas sinjalizimit se një person po qëllonte me armë zjarri në ajër. Falë reagimit të shpejtë, uniformat blu bënë të mundur neutralizimin dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit A. Xh., 32 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se i riu kishte qëlluar me armë zjarri nga automjeti i tij në një zonë të banuar të kryeqytetit.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë me fishek në fole, municion luftarak, si dhe vetë automjetin e përdorur nga autori.
Fatmirësisht nga të shtënat nuk raportohet për persona të lënduar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.






