Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka vendosur heqjen e licencës për dy subjektet private të sigurisë fizike, “Myrto Security 1.3A” dhe “Major Security”, pas hetimeve administrative të zhvilluara lidhur me incidentet e ndodhura gjatë protestës së 30 majit në Portonovë të Zvërnecit.

Sipas njoftimit zyrtar, hetimet e kryera nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe Departamenti për Sigurinë Publike kanë evidentuar shkelje të rënda ligjore nga të dy subjektet, të cilat ishin kontraktuar për ruajtjen e pronës private në zonën ku po zhvillohen punimet.

Policia bën me dije se subjekti “Myrto Security 1.3A” nuk kishte marrë masat e nevojshme për kontrollin e hyrje-daljeve në objekt dhe nuk administronte listën e personave dhe mjeteve të autorizuara për të hyrë në territorin e rrethuar.

Si pasojë, më 30 maj në zonë kanë hyrë persona të paidentifikuar, të cilët sipas Policisë ushtruan dhunë ndaj një protestuesi, duke e goditur dhe tërhequr me forcë, si edhe duke reaguar me gurë dhe sende të tjera ndaj pjesëmarrësve në protestë.

Ndërkohë, për subjektin “Major Security”, hetimet kanë zbuluar se një punonjës i licencuar i kompanisë, së bashku me dy persona të tjerë që nuk rezultonin të regjistruar apo licencuar nga subjekti, kanë kryer veprime arbitrare ndaj një protestuesi, duke e goditur dhe futur me forcë brenda rrethimit të pronës.

Policia thekson se këto veprime përbëjnë tejkalim kompetencash dhe shpërdorim detyre.

Pas përfundimit të procedurave administrative dhe bazuar në ligjin “Për Shërbimin Privat të Sigurisë Fizike”, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit vendosi heqjen e licencave për të dy kompanitë.

Autoritetet bëjnë me dije se hetimet administrative dhe penale lidhur me ngjarjen vijojnë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu