U konfliktuan fizikisht me punonjësit e qarkullimit rrugor, vihen në pranga 2 shtetas pronarë të një subjekti, për dhënien me qera të mjeteve elektrike.

2 të arrestuarit ushtronin aktivitetin e tyre pa licensë duke zaptuar hapësirën publike.

yacht hotel sarande

Punohet për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë të cilët goditën punonjësit e Policisë gjatë detyrës.

Mbrëmjen e djeshme në Lungomare, punonjësit e qarkullimit rrugor të planizuar në këtë aks, gjatë kontrolleve të ushtruara për përdorimin e kaskave tek motorët elektrikë dhe monopatinat, kanë konstatuar shtetasin D. J., në kundravajtje, të cilin e kanë ndaluar. Gjatë komunikimit të kundravajtjes dhe masës administrative, janë afruar dy pronarët e subjektit ku shtetasi D. J. kishte marrë motorin elektrik me qera, konkretisht shtetasit R. P. dhe K. P., të cilët së bashku me shtetas të tjerë kanë debatuar verbalisht me punonjësit duke i kundërshtuar e më pas i kanë goditur me grushta. Si pasojë e konfliktit, dy punonjës policie aktualisht ndodhen në spitalin e Vlorës, pasi kanë pësuar fraktura, jashtë rrezikut për jetën.

Në vijim të veprimeve proceduriale, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Vlorë, oficeri i Prokurorisë ka bërë ndalimin e dy shtetasve R. P., 29 vjeç dhe K. P., 23 vjeç, (vëllezër), të cilët goditën punonjësit e Policisë gjatë detyrës.

2 shtetasit e arrestuar, pronarë të subjektit për dhënien me qera të mjeteve elektrike, gjithashtu kanë rezultuar se e ushtronin këtë aktivitet pa licensë, duke zaptuar hapësirën publike.

Po në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim dhe vijon puna për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë konflikt.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Vlorës u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë ligjin dhe t’i përgjigjen urdhrave të punonjësve të Policisë për të shmangur incidente të tilla të papranueshme. Bashkëpunimi me Policinë është thelbësor për të garantuar sigurinë dhe rendin publik në qytet.

Ministri i Brendshëm ka reaguar në një status të gjatë në rrjetet sociale, pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e kaluar, kur 2 punonjës policie u lënduan pas agresionit të disa të rinjve, që u gjobitën për paligjshmëri.

Duke postuar foto të punonjësve të policisë duke patrulluar e monitoruar territorin në tokë a det, ministri Taulant Balla nënvizoi se në këto ditë të nxehta vere, si gjithmonë, Policia e Shtetit është në krye të detyrës për të garantuar sigurinë në të gjithë territorin.

“Rëndësia e detyrës që mbart uniforma e Policisë së Shtetit, duhet ta bëjnë shoqërinë të reflektojë për ridimensionimin e qëndrimeve dhe mbështetjes për sigurinë publike, garantuesi themelor i së cilës është Policia e Shtetit. Kush nuk i bindet urdhërit/thirrjes së ligjshme të policit, ose më rëndë akoma e kundërshton me forcë, guxon ta fyejë, ta agresojë, ta kanosë, ta godasë apo larg qoftë t’i rrezikojë jetën në ushtrim të detyrës apo për shkak të detyrës, duhet të kuptojë se po godet shtetin”, thekson ministri.

Më tej, ai shprehet se çdo qytetar që mendon se ka të drejtë ndërsa punonjësi i policisë e ka gabim, e ka gjithë të drejtën dhe mekanizmat ta apelojë vendimin apo urdhrin e punonjësit të policisë në rrugë administrative apo dhe penale.

“Por çdo veprim kundërshtimi me forcë nuk duhet të tolerohet”, apelon fort kreu i Ministrisë së Brendshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu