
Egnatia ka shkruar historinë e futbollit shqiptar, duke u shpallur kampione e Shqipërisë për të tretin sezon radhazi.
Skuadra nga Rrogozhina kurorëzoi suksesin në finalen e zhvilluar në “Elbasan Arena”, duke konfirmuar dominimin e saj në futbollin shqiptar edhe këtë sezon.
Pas përfundimit të ndeshjes, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, u dorëzoi medaljet lojtarëve të Egnatias, ndërsa trofeun e kampionit ia besoi kapitenit Albano Aleksi.
Momenti i ngritjes së trofeut u shoqërua me emocione të mëdha në stadium, ku futbollistët, stafi teknik dhe tifozët festuan një tjetër sukses historik për klubin.
Me këtë triumf, Egnatia forcon pozitat si një nga ekipet më të suksesshme të viteve të fundit në futbollin shqiptar, duke fituar titullin kampion për të tretën herë radhazi.






