
Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa i ka dhënë fund beqarisë, duke u martuar me aktorin britanik Callum Turner në një ceremoni civile të mbajtur në Londër.
Sipas mediave britanike, çifti kurorëzoi ligjërisht lidhjen e tyre në Old Marylebone Town Hall, përpara festimeve madhështore që do të zhvillohen javën e ardhshme në Palermo të Sicilisë.
Dua Lipa, 30 vjeçe, u shfaq me një kostum të bardhë elegant dhe kapele me strehë të gjerë, ndërsa mbante në duar një buqetë me lule të verdha. Në krah të saj ishte aktori 36-vjeçar Callum Turner, i cili zgjodhi një kostum klasik blu të errët.
Pas ceremonisë, të sapomartuarit dolën mes duartrokitjeve dhe konfetive të familjarëve e miqve të afërt, përpara se të largoheshin me një taksi tradicionale londineze.
Mediat britanike raportojnë se festa kryesore e dasmës do të zgjasë tre ditë dhe do të organizohet në Sicili, ku priten të marrin pjesë emra të njohur të muzikës, modës dhe kinematografisë ndërkombëtare.
Mes të ftuarve përmenden Elton John, Mark Ronson, Charli XCX, Donatella Versace dhe stilisti Simon Porte Jacquemus.
Burime pranë çiftit kanë deklaruar se për organizimin e ceremonisë nuk është kursyer asnjë shpenzim, ndërsa Dua Lipa pritet të veshë një fustan të krijuar posaçërisht për të nga shtëpia e modës Versace.
Historia e dashurisë mes Dua Lipës dhe Callum Turner u bë publike në vitin 2024. Në fund të vitit të kaluar, këngëtarja konfirmoi fejesën e tyre, duke e cilësuar si një nga momentet më të bukura të jetës së saj.
Martesa e artistes shqiptare me aktorin britanik po konsiderohet nga mediat ndërkombëtare si një nga ngjarjet më të rëndësishme të showbiz-it për vitin 2026.






