
Ish-kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi, dhe ish-deputeti Abelard Tahiri kanë zhvilluar vizita të ndara në Hagë te ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po përballet me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara.
Të dy figurat politike konsiderohen bashkëpunëtorë dhe këshilltarë të afërt të Thaçit gjatë periudhës kur ai mbante postet e kryeministrit dhe më pas të presidentit të Kosovës. Pas takimit, Krasniqi deklaroi se vizita kishte për qëllim të shprehte mbështetje morale për Thaçin dhe ish-krerët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ndodhen në Hagë.
“Për të qenë pranë tij dhe shokëve të tij edhe në këtë fazë finale të procesit dhe, aq sa mundemi, për ta ndarë sadopak me ta këtë rrugëtim të gjatë sfidash dhe padrejtësish”, u shpreh Krasniqi.
Ai theksoi se mesazhi kryesor i vizitës ishte se ish-udhëheqësit e UÇK-së “nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë vetëm”, ndërsa shtoi se Thaçi dhe bashkëpandehurit e tij po ruajnë qetësinë, forcën dhe optimizmin gjatë procesit gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës.



