
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi në Kuvend se raporti i IBAR i Bashkimi Europian konfirmon të gjitha shqetësimet që opozita ka ngritur prej kohësh për korrupsionin, zgjedhjet dhe mënyrën e qeverisjes në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij, Bardhi akuzoi mazhorancën se po përpiqet të shmangë lidhjen mes çështjeve të korrupsionit dhe procesit të integrimit europian, ndërsa theksoi se raporti i BE-së evidenton qartë problematikat në sektorët publikë.
“Jua ka zbardhur media, meqë thoni IBAR nuk ka lidhje me Ballukun. E lexuat apo edhe atë bëtë sikur nuk e lexuat”, deklaroi Bardhi nga foltorja e Kuvendit, duke iu referuar ish zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Ai citoi pjesë nga raporti i IBAR, ku thuhet se korrupsioni mbetet i përhapur në shumicën e fushave të jetës publike dhe biznesit në Shqipëri, duke përfshirë të gjitha nivelet e qeverisjes qendrore dhe vendore.
Sipas Bardhit, dokumenti i Bashkimit Europian evidenton si sektorë me risk të lartë korrupsioni infrastrukturën publike, prokurimet publike dhe kontratat e Partneritetit Publik-Privat.
“BE-ja thekson se këto masa tani duhet të zbatohen me vendosmëri dhe të japin ndikim veçanërisht në sektorët më të rrezikuar nga korrupsioni, mbi të gjitha në infrastrukturën publike, kadastrën dhe të drejtat e pronësisë, doganat, administratën tatimore, arsimin, shëndetësinë, prokurimet publike dhe kontratat e Partneritetit Publik-Privat”, tha ai.
Në vijim, Bardhi u ndal edhe te procesi zgjedhor, duke deklaruar se raporti i IBAR kërkon masa konkrete për garantimin e barazisë mes forcave politike dhe eliminimin e rrjetit të patronazhistëve.
“Ju keni thënë s’kemi probleme me zgjedhjet, por IBAR thekson se duhen marrë masa të krijohet barazi mes palëve, ndërsa shton se duhet të zhduket rrjeti i patronazhistëve”, u shpreh ai.
Në përfundim, Bardhi tha se mazhoranca është tashmë e detyruar të zbatojë rekomandimet e Bashkimit Europian.
“Meqë deri tani nuk e keni dëgjuar opozitën që nuk ka thënë asnjë germë ndryshe nga sa ju ka thënë BE në IBAR, jeni të detyruar të zbatoni tani atë që ju kanë kërkuar 27 vendet e BE-së”, përfundoi Bardhi.






