Shqipëria ka marrë një tjetër sinjal pozitiv në procesin e integrimit europian, pasi në Bruksel është miratuar pa kundërshtime drafti i qëndrimit të përbashkët të Bashkimit Europian, i bazuar në raportin IBAR.

Sipas burimeve të Këshillit të Bashkimit Europian për A2 CNN, dokumenti është miratuar në nivelin e grupit të punës COELA, pa asnjë kundërshtim nga shtetet anëtare.

“Drafti i qëndrimit të përbashkët të përkohshëm të BE-së, bazuar në IBAR, sapo është miratuar në COELA pa asnjë kundërshtim të mëtejshëm nga shtetet anëtare”, thuhet në përgjigjen e Këshillit të BE-së.

Hapi i radhës pritet të jetë miratimi formal nga ambasadorët e vendeve anëtare në COREPER, i planifikuar për nesër pasdite, çka më pas do të hapë rrugën për konfirmimin zyrtar të Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-BE më 26 maj.

Në takimin e sotëm në Bruksel, vendet anëtare dhanë dritën jeshile për vijimin e procedurave që lidhen me raportin IBAR dhe nisjen e procesit për mbylljen e kapitujve të parë të negociatave.

Ky zhvillim konsiderohet një hap i rëndësishëm për avancimin e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu