
Deklaratat e Eric Wendt gjatë seancës dëgjimore në Senatin amerikan u komentuan gjerësisht në mediat shqiptare, ku fokusi kryesor ishte mbështetja e tij për SPAK-un, luftën kundër korrupsionit dhe profilin e tij ushtarak. Në emisionet “Real Story” në ABC News, “Now” në Euronews Albania, “Trialog” në RTSH, “A Show” në Syri TV dhe “Off the Record” në A2 CNN, analistë, ish-ambasadorë dhe gazetarë e interpretuan mesazhin e Wendt si një sinjal të qartë se SHBA do të vijojë mbështetjen për drejtësinë e re dhe SPAK-un. Ish-ambasadori Arben Çejku deklaroi se fakti që SPAK u përmend në Senat tregon “vëmendje të shtuar” të SHBA-së ndaj institucioneve të drejtësisë, ndërsa Preç Zogaj tha se gjenerali Wendt “do të lërë gjurmë më shumë se kushdo” dhe do të sjellë një mbështetje më të fortë për SPAK-un.
Analistët e lidhën profilin e tij ushtarak me një qasje më të fortë ndaj sigurisë dhe krimit të organizuar. Artan Hoxha deklaroi në Euronews Albania se Wendt “nuk do të jetë diplomat që ndan interesa”, por një figurë e fokusuar te objektivat strategjike amerikane në rajon, ndërsa Artur Meçollari tha se ai do të jetë “më metodist dhe më këmbëngulës” për arritjen e objektivave. Skënder Minxhozi dhe Roland Bimo në ABC News theksuan se ardhja e tij ndodh në një moment tensionesh globale dhe se Shqipëria shihet si një pikë strategjike për NATO-n dhe interesat amerikane në rajon.
Një pjesë e debatit në mediat shqiptare u përqendrua edhe te mesazhi politik i Wendt për një “SPAK apolitik”. Arion Sulo në RTSH deklaroi se ambasadori i ri pritet të shmangë presionet politike ndaj SPAK-ut dhe të mbështesë hetimet ndaj korrupsionit të nivelit të lartë, ndërsa Adrian Shtuni në Euronews Albania tha se deklaratat e Wendt nuk janë individuale, por pjesë e strategjisë amerikane për të mbështetur institucione të pakapura nga krimi. Në të njëjtën linjë, Lorenc Vangjeli zbuloi se Wendt ka pasur lidhje të mëparshme me Shqipërinë përmes bashkëpunimit me trupat speciale shqiptare në Afganistan dhe kontakteve me drejtues të lartë ushtarakë shqiptarë.



