Aktorja e re shqiptare Pinea Matoshi po tërheq vëmendjen e kritikës ndërkombëtare në Festivalin prestigjioz të Filmit në Kanë 2026, falë rolit të saj protagonist në filmin “Dua”, i cili po garon në seksionin “Critics’ Week”.

Filmi me regji të Blerta Bashollit sjell historinë prekëse të një vajze 13-vjeçare në Prishtinën e fundviteve ’90, në prag të luftës në Kosovë. Pinea Matoshi interpreton personazhin kryesor, Dua, një adoleshente që përballet me frikën, tensionet etnike dhe sfidat e rritjes në një periudhë dramatike për shqiptarët e Kosovës.

Mediat dhe kritikët ndërkombëtarë kanë vlerësuar interpretimin e saj si një nga zbulimet më të forta të këtij edicioni të Kanës. Revista të specializuara të kinemasë kanë shkruar se Matoshi sjell “një ndjeshmëri të rrallë emocionale” dhe një interpretim që “mban mbi supe peshën e gjithë filmit”.

“Dua” është një bashkëprodhim mes Kosovës, Zvicrës dhe Francës dhe pati premierën botërore më 13 maj në Festivalin e Kanës. Në kast bëjnë pjesë edhe aktorët e njohur shqiptarë Yllka Gashi dhe Kushtrim Hoxha.

Përzgjedhja në “Critics’ Week”, një nga seksionet më prestigjioze të festivalit, konsiderohet një arritje e madhe për kinematografinë shqiptare dhe një hap i rëndësishëm për karrierën ndërkombëtare të Pinea Matoshit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu