
Kryeministri Edi Rama u prit në një takim zyrtar në Tallinn nga homologu estonez, Kristen Michal, në kuadër të pjesëmarrjes në Konferencën Lennart Meri 2026.
Në deklaratën e përbashkët për shtyp, kryeministri estonez vlerësoi Shqipërinë si “aleate shumë të mirë në NATO” dhe kontributin e saj në sigurinë e rajonit Baltik. Ai rikonfirmoi mbështetjen e Estonisë për integrimin europian të Shqipërisë, duke theksuar se “nëse Shqipëria përmbush angazhimet e saj, atëherë edhe Bashkimi Europian do të bëjë të njëjtën gjë”.
Kristen Michal nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit në fushën digjitale dhe inteligjencës artificiale, duke e cilësuar Estoninë si shembull të transformimit teknologjik me pothuajse të gjitha shërbimet publike online.
Nga ana e tij, Rama e cilësoi Tallinn-in si “laborator të së ardhmes” dhe Estoninë si një model për vendet e vogla.
“Kemi admirim të plotë për estonezët, sepse në vend që të jetojnë në një muze, kanë vendosur të jetojnë në të ardhmen”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare tha se Shqipëria synon të ndjekë modelin estonez në transformimin digjital dhe përdorimin e inteligjencës artificiale, duke theksuar se 95% e shërbimeve publike shqiptare janë tashmë online.
Rama ftoi gjithashtu turistët estonezë të vizitojnë Shqipërinë edhe gjatë dimrit, duke ironizuar me Rusinë: “Nuk kemi simpati për Vladimir Putin atje, kështu që do të ndiheni krejt si në shtëpi.”
Takimi u fokusua edhe te siguria europiane, mbështetja për Ukrainën dhe avancimi i negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.



