Jorida Tabaku mbajti një fjalim kritik në Kuvend gjatë debatit për integrimin europian, duke deklaruar se Shqipëria nuk mund të bëhet pjesë e Bashkimit Europian vetëm përmes propagandës apo miratimit formal të ligjeve.

Sipas saj, integrimi europian është “testi i demokracisë”, ndërsa sfida më e madhe për vendin mbetet pandëshkueshmëria dhe kapja e shtetit.

“Një vend nuk bëhet europian duke hapur kapituj në letër. Një vend bëhet europian duke ndërtuar institucione që funksionojnë realisht,” deklaroi Tabaku nga foltorja e Kuvendit.

Deputetja demokrate tha se progresi nuk matet me numrin e ligjeve të miratuara apo “prezantimet në PowerPoint të qeverisë”, por me reforma reale dhe funksionimin e institucioneve.

Ajo renditi si shqetësime kryesore korrupsionin, mungesën e konkurrencës së lirë, presionin ndaj medias dhe kontrollin politik mbi ekonominë.

“Kemi krijuar një sistem ku shteti është i fortë përballë qytetarit dhe i dobët përballë pushtetit,” u shpreh Tabaku.

Sipas saj, tenderat, koncesionet, investimet strategjike dhe planifikimi urban janë kthyer në mjete kontrolli politik dhe ekonomik.

Tabaku deklaroi se “kapja e shtetit” nuk nis vetëm me kontrollin e gjykatave, por edhe kur kontrollohen ekonomia, administrata, media dhe procesi zgjedhor.

“Integrimi nuk është teknik. Integrimi është politik. Integrimi është moral. Është testi i demokracisë,” tha ajo.

Në fjalën e saj, deputetja e PD-së u shpreh se Shqipëria është vonë në proces për shkak të mungesës së drejtësisë dhe ndëshkueshmërisë.

“Problemi në Shqipëri nuk është mungesa e propagandës. Problemi është mungesa e drejtësisë dhe mungesa e ndëshkueshmërisë,” deklaroi Tabaku.

Ajo iu drejtua edhe ministrit Ferit Hoxha, duke kërkuar zgjerimin e ekipeve negociuese dhe më shumë transparencë për procesin e integrimit.

“Ky proces është për fermerët, për bizneset që po mbyllen, për studentët që largohen dhe për shqiptarët që po braktisin vendin,” tha ajo.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu