
Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) ka paralajmëruar se rritja e çmimeve të biletave të avionëve është tashmë e pashmangshme për shkak të krizës në Ngushticën e Hormuzit dhe tensioneve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme.
Drejtori i Përgjithshëm i IATA-s, Willie Walsh, deklaroi për BBC se linjat ajrore nuk mund të përballojnë për një kohë të gjatë kostot në rritje të karburantit.
Sipas tij, megjithëse disa kompani kanë ulur përkohësisht çmimet në Europë për të nxitur kërkesën, situata nuk mund të zgjasë.
“Nuk ka asnjë mënyrë që linjat ajrore të vazhdojnë të përballojnë kostot shtesë”, tha Walsh, duke paralajmëruar se çmimet më të larta të naftës do të reflektohen drejtpërdrejt në tarifat e udhëtimit.
Kriza është përshkallëzuar pas pezullimit të lundrimit të lirë në Ngushticën e Hormuzit, si pasojë e konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, duke shkaktuar tronditje në tregun global të karburantit për avionë.
Europa dhe veçanërisht Britania mbeten shumë të varura nga importet e karburantit nga Lindja e Mesme dhe tashmë po kërkojnë furnizime alternative.
Komisioneri Europian i Energjisë, Dan Jorgensen, deklaroi se nuk priten mungesa të menjëhershme, por paralajmëroi se problemet afatgjata të furnizimit mbeten të mundshme.
Edhe drejtori ekzekutiv i TUI, Sebastian Ebel, tha se për momentin nuk priten mungesa karburanti, por situata mbetet delikate.
Sipas IATA-s, muajt korrik dhe gusht sjellin zakonisht një rritje me rreth 25% të fluturimeve dhe konsumit të karburantit, çka rrit presionin mbi kompanitë ajrore.
Walsh paralajmëroi se edhe nëse Ngushtica e Hormuzit rihapet menjëherë, pasojat në treg nuk do të zhduken shpejt.
“Ky problem mund të zgjasë për muaj të tërë dhe madje të shtrihet edhe gjatë vitit të ardhshëm”, theksoi ai.






