
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria u përball me sulme të ashpra kibernetike nga Irani pasi strehoi opozitarët iranianë, ndërsa vlerësoi ndihmën e Izraelit për mbrojtjen e sistemeve digjitale shqiptare.
Deklaratat u bënë gjatë Samitit Shqipëri-Izrael për inovacionin, teknologjinë dhe sigurinë kibernetike, ku morën pjesë 40 kompani izraelite.
Rama tha se Shqipëria u sulmua nga regjimi iranian si “hakmarrje” pasi vendi hapi dyert për disa mijëra opozitarë iranianë.
“Na sulmoi regjimi iranian që nuk e duronte dot këtë gjë dhe synoi të shkatërronte sistemin tonë të shërbimeve online”, deklaroi kryeministri.
Ai theksoi se sulmi kishte si objektiv kthimin pas të Shqipërisë në sistemin e vjetër të shërbimeve publike, të cilin e cilësoi si “korruptiv dhe të zymtë”.
Sipas Ramës, ndihma nga Izraeli, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ekspertët amerikanë ishte vendimtare për përballimin e krizës.
“Në atë moment Izraeli u soll si mik dhe na ofroi ndihmë”, u shpreh ai.
Kreu i qeverisë shtoi se Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet me Iranin dhe e shpalli atë “shtet terrorist”.
Gjatë fjalës së tij, Rama vlerësoi marrëdhëniet historike mes Shqipërisë dhe popullit hebre, duke kujtuar se Shqipëria ishte vendi i vetëm në Europë që pas Luftës së Dytë Botërore kishte më shumë hebrenj sesa para nisjes së luftës.
Ai theksoi gjithashtu se vendi po investon fort në transformimin digjital dhe sigurinë kibernetike, ndërsa shprehu dëshirën për thellimin e bashkëpunimit me Izraelin në teknologji dhe inovacion.






