
Një situatë kaotike është regjistruar në “Arenën e Demave” në Tiranë pas finales së “Play Off”-it të kampionatit U-18 mes Partizanit B dhe Tiranës B.
Derbi i të rinjve përfundoi me fitoren 0-1 të Tiranës B, falë golit të shënuar nga Qerimaj në minutën e 45-të, rezultat që u dha bardhebluve titullin kampion për grupmoshën U-18.
Por tensioni shpërtheu menjëherë pas ndeshjes.
Sipas raportimeve, një lojtar i Tiranës vendosi fanellën bardheblu te flamuri i këndit dhe më pas tentoi ta ngulte në mesin e fushës, veprim që u konsiderua provokues nga lojtarët dhe tifozët e Partizanit.
Pas këtij momenti nisi një përplasje masive në fushë, fillimisht mes futbollistëve të dy skuadrave, ndërsa më pas në fushë hynë edhe tifozë.
Pamjet tregojnë grushte, shkelma dhe tension të lartë, ndërsa raportohet edhe për përplasje me efektivët e policisë që ndërhynë për të neutralizuar situatën.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa pritet reagimi zyrtar i institucioneve sportive dhe policisë lidhur me incidentin në derbin e kryeqytetit.



