
Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi një nga seancat më të gjata dhe më të tensionuara parlamentare të muajve të fundit, ku debatet mes mazhorancës dhe opozitës zgjatën deri pas mesnate. Kryeministri Edi Rama u paraqit në Kuvend vetëm në orët e vona të natës, ndërsa deputetët e opozitës e kishin pritur gjatë gjithë ditës për interpelancën e kërkuar prej tyre.
Refuzimi që interpelanca të zhvillohej drejtpërdrejt me Ramën shkaktoi përplasje të forta në sallë. Opozita akuzoi kryeparlamentarin Niko Peleshi për shkelje të rregullores dhe Kushtetutës, duke kërkuar edhe dorëheqjen e tij.
Seanca nisi me një minutë heshtje në nder të ish-kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi, pas ndarjes së tij nga jeta. Më pas u vijua me rendin e ditës dhe diskutimet parlamentare.
Interpelanca e kërkuar me kryeministrin iu delegua ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili. Ndërkohë, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, u përball me pyetjet e deputetëve në një tjetër interpelancë. Po ashtu, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, iu përgjigj pyetjeve të deputetes së opozitës Ina Zhupa.
Ndër vendimet më të rëndësishme të miratuara ishte Akti Normativ për ndryshimet në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, i cili kaloi me 85 vota pro dhe 25 kundër. Kuvendi miratoi gjithashtu marrëveshjen për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Mali i Zi–Shqipëri 2021–2027 me 108 vota pro dhe vetëm një abstenim.
Me shumicë votash kaluan edhe ndryshimet në ligjin “Për shtetësinë”, të prezantuara nga Taulant Balla, si dhe projektligjet për identifikimin elektronik dhe portofolin digjital të identitetit, të prezantuara nga ministrja Delina Ibrahimaj.
Nga ana tjetër, opozita nuk arriti të kalojë disa prej nismave të saj për ndryshimet në taksat kombëtare dhe akcizat, si dhe projektligjin për mekanizmin e reagimit ndaj krizave të furnizimit dhe çmimeve të karburanteve, të propozuar nga deputeti Enno Bozdo.
Seanca votoi edhe emërime të rëndësishme në institucionet e pavarura. Ahmet Prençi u zgjodh Komisioner për Mekanizmin Kombëtar për Parandalimin e Torturës, Alma Faskaj mori detyrën si Komisionere për të Drejtat e Fëmijëve, ndërsa Genta Tafa u emërua Komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Gjithashtu, Merita Bejtja u votua si Inspektore e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë.
Pas orësh të gjata debatesh, tensionesh dhe akuzash politike, seanca plenare u mbyll rreth orës 00:35 pas mesnate.






