
Vrasja e Rexhep Ismailit në Sarandë dyshohet se ndodhi pas një konflikti mes disa personash në lokalin e tij në zonën e “Qafë Gjashtës”.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 21:30, ku fillimisht konflikti nisi me sende të forta dhe më pas degradoi në përdorimin e armëve të zjarrit.
Si pasojë mbeti i vrarë shtetasi R. I., 66 vjeç, banues në Qafë Gjashtë, Sarandë. Viktima është identifikuar si Rexhep Ismaili, pronar i lokalit dhe kryetar i shoqatës “Çamëria” për degën Sarandë.
Policia dyshon se gjatë shkëmbimit të zjarrit është plagosur edhe një person tjetër, i cili ende nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore dhe nuk është identifikuar.
Nga hetimet e para dyshohet se autor i vrasjes është shtetasi L. T., i cili pas ngjarjes është larguar së bashku me personat e tjerë të përfshirë në konflikt dhe me të plagosurin e dyshuar.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën për kapjen e autorit, ndërsa po ushtrohen kontrolle edhe në spitale e klinika private për identifikimin e personit të plagosur.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.



