
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë reaguar pas raportit dhe deklaratave të Avokatit të Popullit të Kosovës lidhur me procedurat gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Përmes një deklarate, zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep, tha se raporti i përgatitur nga Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit nuk konstaton se gjykata ka shkelur të drejtat e të akuzuarve.
Sipas saj, raporti nuk arrin në përfundimin se jurisprudenca e Speciales bie ndesh me standardet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut apo tribunaleve të tjera ndërkombëtare.
“Raporti nuk konstaton as që vendimet mbi paraburgimin kanë qenë në kundërshtim me konventat për të drejtat e njeriut”, thuhet në reagim.
Dhomat e Specializuara theksuan se shumë prej çështjeve të ngritura në raport bazohen kryesisht në argumentet e ekipeve mbrojtëse dhe nuk përfshijnë qëndrimet e Prokurorisë, të mbrojtjes së viktimave apo arsyetimet e plota të trupave gjykues.
Sipas reagimit, vetë raporti pranon se shumë nga aspektet e trajtuara janë ende në proces shqyrtimi juridik dhe për to nuk ka ende vendime përfundimtare.
Gjykata rikujtoi se vetëm trupi gjykues vendos mbi faktet dhe provat, ndërsa të gjitha vendimet janë të apelueshme.
“Vetëm trupi gjykues vendos për faktet, vlerëson provat dhe përcakton nëse fajësia është provuar përtej dyshimit të arsyeshëm”, thuhet më tej në deklaratë.
Në fund, Dhomat e Specializuara theksuan se as Avokati i Popullit i Kosovës dhe as Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit nuk janë pjesë e gjykatës dhe se raporti nuk do të ndikojë në proceset gjyqësore në Hagë.






